ÇMIMI I KATALUNJËS- BASTIANINI NGJITET NË PODIUMIN E TIJ TË PARË TË KARRIERËS, NË BARCELONË ANTONELLI RRËZOHET QË NË XHIRON E PARË.

Cmimi i Katalunjës - Go&Fun

I sapoardhuri Enea Bastianini i Skuadrës së të Rinjve Moto3 GO&FUN, mori sot podiumin e parë të karrierës së tij në Pistën e Katalunjës, duke përfunduar në vendin e dytë, pas një gare të luftuar fort, ku i riu nga Italia garoi me përzierjen e duhur midis zgjuarsisë dhe guximit. Duke u nisur nga vija e parë, Bastianini ruajti qetësinë gjatë xhirove të para, më pas u përfshi në dyluftime të gjata me garuesit e tjerë pas Aleks Markezit, i cili ishte piloti i vetëm që mundi të shkëputej dhe të fitonte garën. Në xhiron e fundit, Enea mundi të parakalonte me motorin e tij KTM, pilotët me më shumë eksperiencë Efren Vazkuez, Xhek Miller dhe Romano Fenati. Një performancë e shkëlqyer duke konsideruar faktin që për 16 vjeçarin nga Rimini, ishte Çmimi i Madh i shtatë i tij, në një pistë ku ai s’kishte garuar kurrë më parë. Falë këtij rezultati, Bastianini është ngjitur në vendin e tetë në renditjen e përgjithshme të Kampionatit me 45 pikë. Shoku i tij i skuadrës, Nikolo Antoneli, fatkeqësisht u detyrua të tërhiqet pas një përplasje: 18 vjeçari italian u rrëzua gjatë xhiros së parë pasi humbi kontrollin e motorit në kthesën 12.

NIKOLO ANTONELI (Nuk e Përfundoi Garën) “Po hyja në një kthesë shumë të shpejtë, ku s’është normale të rrëzohesh, kur papritur humba kontrollin e motorit... Sinqerisht që s’di të them se përse. Që përpara se të hyja në kthesë, u gjenda në tokë dhe më pas godita dhe barrierën. Për momentin ndjej dhimbje kudo në trup, por në përgjithësi jam mirë. Tashmë më duhet të analizoj të gjitha të dhënat së bashku me skuadrën, në mënyrë që të kuptojmë më mirë se çfarë ndodhi”.

ENEA BASTIANINI (I Dyti) “Jam shumë i gëzuar, ishte një garë fantastike që nga fillimi! Luftova fort që në nisje dhe po ashtu edhe nga fundi i garës, duke mundur të fitoj betejën për vendin e dytë. Më vjen keq që Markezi, mundi të largohej por sot nuk ishim në gjendje të mbanim ritmin e tij. Dje, arrita të realizoj një ëndërr duke u kualifikuar për në vijën e parë, por tani po përjetoj një ëndërr akoma dhe më të madhe! Është shumë mirë të ndjehesh në këto nivele: kur bëra debutimin në Kampionatin Botëror, kisha besimin se do t’ia dilja mbanë, por nga fundi i sezonit; tashmë jemi pak para kohe... dhe kjo është shumë mirë! Dua të falënderoj shumë skuadrën, sepse ata po më mësojnë kaq shumë gjëra të reja dhe po ndihmojnë të rritem: në këtë Kampionat, niveli është shumë i lartë dhe për të qenë kompetitiv duhet të kesh gjithmonë një motor që të ofron maksimumin dhe skuadra po bën një punë të mrekullueshme në këtë drejtim. Këtë podium ia dedikoj së pari prindërve të mi, të cilët më kanë lejuar që të jem këtu, si dhe skuadrës”.

FAUSTO GRESINI “Bastianini sot zhvilloi një garë fantastike: mendoj se kjo është arritje e shkëlqyer për të, që arrin podiumin në Moto3 pas vetëm disa garash dhe mbi të gjitha në një pistë ku ai s’kish garuar më parë. Ai arriti dje kohën e dytë më të shpejtë në provat kualifikuese dhe sot, ishte në në gjendje të përsëriste të njëjtin rezultat falë një performance të zgjuar: Enea garoi si një pilot me eksperiencë. Jam shumë i emocionuar dhe i gëzuar që i kam ofruar atij këtë mundësi. Përsa i përket Nikolos, edhe këtë fundjavë nuk mundi të përfundonte garën pas një pune të mirë të bërë gjatë provave kualifikuese: sigurisht që është një moment i vështirë për të dhe s’është e lehtë as për ne. Do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë, të përpiqemi ta ndihmojmë, por kur nis gara, është ai që piloton motorin”.

Published on : Qer 14 2014